Në mbështetje të bluzave të bardha në përballjen me COVID-19!
Pandemia me emrin COVID-19, një sfidë e papritur për të gjithë ne. Lufta e shek XXII. Një luftë ku armikun nuk e ke përballë, por gjithmonë pranë. Çdo veprimtari dhe aktivitet i jetës sonë u paralizua!
Vërtet që me kalimin e kohës ne u përshtatëm. U mësuam me kufizmet që erdhën, së bashku me detyrimin për ti qëndruar sa më larg këtij rreziku viral.
Të bëhesh një me rrezikun në këto ditë nuk do të thotë të heshtësh përballë forcës së tij, por do të thotë të reagosh në një mënyrë “të butë” dhe “miqësore” me të! Kështu gjithsecili u përpoq të merrte masat që në ditët e para, por dyndjet e mëdha bënë që shumë shpejt të hasnim mungesë maskash, dezinfektantesh etj.
Pikërisht këto rrethana bënë që Qeveria e Nxënësve të Shkollës NEHEMIA të nxitej për të marrë një iniciativë tepër domethenëse. Të mundësonim të gjithë së bashku një numër të konsiderueshëm maskash për spitalin Pogradec!
Idetë e para lindë midis nesh. Në mbledhjet tona me pjestarët e qeverisë të shkollës në aplikacionin ZOOM. E më pas, kjo ide fillestare u përkrah nga mesuesi jonë koordinues dhe drejtoresha e shkollës.Ideja u përhap në të gjitha klasat e shkollës NEHEMIA duke u bërë kështu një qëllim që duhej realizuar. Për ne si iniciatorë të këtij aktiviteti nuk ishte e lehtë, duke mos ditur si do të pritej nga nxënësit e tjerë të shkollës. Por guximi i mirë në këto ditë është më i vlefshëm se gjithçka! Kështu besimi i madh që kishim tek humanizmi, që të gjithë kemi mësuar, duke u rritur në vlerat morale dhe edukative që ofron gjithë stafi NEHEMIA-s, na bëri që të ecnim të sigurt drejt këtij misioni të përbashkët.
Nuk gabuam! Gjithçka u prit shumë mirë. Nxënësit u emocionuan, u nxitën, u ndjenë tepër kontribues në këtë situatë delikate.
E përvetësuan idenë kryesore të këtij aktiviteti dhe filluan gjithsecili me përgatitjet. Ne, si qeveri e nxënësve të shkollës ishim në kontakt të vazhdueshëm me ta, duke marrë kështu feedback- un e tyre, por njëkohësisht edhe duke i nxitur më tepër. Puna vazhdoi për 10 ditë me radhë dhe u konkretizua me një numër prej 100 maskash të përgatitura nga nxënësit e shkollës. Nisma jonë pati mbështetje të menjëhershme nga drejtuesit e Kishës Ungjillore Pogradec. Duke na ofruar një bashkëpunim të tillë; ata do të na dhuronin të njëjtën sasi maskash që do të mblidhnim ne me nxënësit e shkollës. Kështu në fund do të kishim dyfish maska në numër. Në datën 24.04.2020 Drejtorja e Shkollës, mësuesi koordinator i qeverisë së nxënësve, presidentja dhe zv.presidentja e qeverisë së nxënësve të shkollës, dorëzuan maskat pranë drejtorisë së Spitalit Pogradec. Aty përcollëm humanizmin e të gjithë nxënësve të shkollës NEHEMIA dhe përkrahësve tanë, me falenderimet e shumta nga drejtori i spitalit z. Erion Thëngjilli.
Kjo eksperiencë na bëri të ndiheshim dhe ne sadopak ndihmues pranë bluzave të bardha. Puna e palodhur dhe vullneti i madh, na çuan drejt realizmit të një nisme humane. Ne besojmë se aktivitete dhe inicativa të tilla në këto kohë të vështira, na mbajnë të bashkuar dhe më të fortë se kurrë.