Të dashur prindër,
viti shkollor 2020-2021 ka filluar dhe jemi mirënjohës që çdo gjë po shkon mirë. Kohëzgjatja e orëve të mësimit është ruajtur. Po ofrohet shërbimi i transportit dhe i mensës dhe jemi shumë të kënaqur që deri tani nuk kemi nxënës apo mësues të infektuar.
Sigurisht që sfida ka dhe do të ketë, por me mbështetjen tuaj kemi besim që do t’ia dalim mbanë.
Për shkak të gjendjes jo të zakonshme të shkaktuar nga pandemia e COVID-19, ky vit shkollor do të jetë ndryshe nga vitet e tjera përsa i përket mënyrës së organizimit. Ne ju kemi dërguar vazhdimisht informacione me anë të mësuesve kujdestarë në lidhje me fillimin e vitit shkollor: orarin, rregullat e sjelljes dhe masat ndaj COVID-19, grafikët, regjimin dhe orarin e autobusave.
Synimi ynë, edhe këtë vit, është të ofrojmë një arsim cilësor për nxënësit duke i aftësuar ata të fitojnë kompetenca dhe të formojnë personalitetin e tyre përmes zbulimit të botës, si dhe potencialeve të tyre. Ne do të ofrojmë mundësi për ta që të provojnë situata të ndryshme të të nxënit dhe të vetë jetës, me qëllim që ata të marrin përgjegjësi për jetën, familjet e tyre dhe shoqërinë, në të cilën ata jetojnë dhe duke inkurajuar lirinë dhe barazinë midis njerëzve.
Ju, prindër, jeni partnerët tanë në edukimin e fëmijëve dhe ne kërkojmë edhe më tej mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj në mënyrë që të mund të arrijmë me sukses synimin dhe objektivat tona të përbashkëta.
Le të vazhdojmë të mbështesim njëri-tjetrin për të bërë më të mirën për të ardhmen e fëmijëve tanë.
Ju ftojmë të lexoni më tej dhe për çdo mendim dhe sugjerim jeni mëse të mirëpritur të na kontaktoni.
Për të lexuar të plotë, kliko ketu: Letër informuese për prindërit, Botimi Nr. 6: Tetor 2020