Kopshti

Metodat e të mësuarit

Grupmoshat e fëmijëve në Kopshtin NEHEMIA janë tre deri në gjashtë-shtatë vjeç. Fokusi ynë kryesor është pavarësia e fëmijëve dhe të mësuarit nëpërmjet lojës. Ambientet dhe programi ditor i kopshtit janë formuar në shërbim të këtij qëllimi, duke u krijuar fëmijëve vendin e duhur për të luajtur, mësuar dhe krijuar hapësirën e tyre personale. 

Ne bazohemi tek nevojat psikologjike të zhvillimit të secilës grupmoshë dhe i vendosim objektivat tona arsimore në përputhje me to. Për ne është gjithashtu e rëndësishme që t'iu japim fëmijëve kohë të mjaftueshme për të luajtur, sepse në këtë moshë dhe në këtë këtë mënyrë ata mësojnë më shumë. Për shembull, kur ndërtojnë me kuba, ata fitojnë konceptet e hapësirës dhe të sasisë.

Sjellja shoqërore është gjithashtu e rëndësishme për ne, pasi mendojmë se ka rëndësi të veçantë aftësia për të qenë të dhembshur, për të patur gatishmëri për të ndihmuar dhe për të treguar gjithëpërfshirje.

Kopshti ynë është një vend, ku mund të zgjohet dëshira për të eksploruar botën me entuziazëm.

Kjo fillon, kur fëmijët së pari mësojnë të kuptojnë veten dhe trupin e tyre, të forcohen në pavarësinë dhe vetëvlerësimin e tyre, gjithashtu duhet të mësojnë të shprehin nevojat, mendimet dhe emocionet e tyre. 


Kurrikula

Shkolla NEHEMIA zbaton kurrikulën, programet dhe planet mësimore të licencuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

Planet mësimore shtesë verifikohen gjithashtu nga MASR. Ato aktualizohen rregullisht dhe në rast nevoje kërkohet miratimi i tyre nga MASR. Kurrikula është e bazuar në të nxënit me kompetenca në fushat e përcaktuara. Njëkohësisht, nga drejtoria e shkollës organizohen veprimtari plotësuese, të tilla si kurse shtesë, konkurse, projekte sociale e komunitare, aktivitete kulturore-artistike, sportive, letrare, shkencore, mjedisore, kampe tematike etj.


Ambientet

Çdo grup ka deri në 15-20 fëmijë. Ambientet e kopshtit janë të ndara sipas orientimit të fëmijëve dhe sipas grupmoshave te ndryshme. Klasat janë të ndara nëpër qendra mësimore si ajo e matematikës, gjuhës, ndërtimit, kuzhinës, shkencës etj. Fëmijët mund të luajnë atje, të eksperimentojnë dhe të provojnë materiale të ndryshme. 

Gjithashtu nëpër klasa janë edhe këndet e leximit dhe të qetësisë, ku fëmijët kanë mundësinë që të tërhiqen në momente të caktuara ngarkese dhe të shplodhen duke lexuar apo thjesht duke u shtrirë.


Mësuesit

Mësueset e arsimit parashkollor janë gjithmonë të pranishme në të gjitha proceset dhe rutinat ditore të fëmijëve. Fokusi i tyre kryesor është që fëmijët të ndihen mirë dhe të pranuar nëpër grupet e tyre, por gjithashtu të kenë një zhvillim të shëndetshëm praktik dhe social.