Arsimi i Mesëm i Lartë

Metodat e të mësuarit

Arsimi i mesëm i lartë është i përkushtuar të ofrojë programe mësimore-edukative me cilësi të lartë të integruara me praktikën që synojnë t'i mbështesin nxënësit të mendojnë jashtë lëndëve të segmentuara, të hulumtojnë dhe të argumentojnë idetë e tyre, si dhe të ushtrojnë aftësi të tjera të tilla si menaxhimi i kohës, menaxhimi i detyrave dhe njerëzve.   

Nxënësit përfshihen në jetën e shkollës duke qenë pjesë e grupeve këshillore të shkollës, duke ndihmuar më të vegjlit ose nxënësit e rinj në shkollë. Në koordinim me Projektin Social të Nehemiah Gateway Albania, nxënësit aktivizohen të bëjnë punë vullnetare në programet ekzistuese gjatë gjithë vitit shkollor, si dhe gjatë muajve të verës dhe për këtë ata marrin edhe pikë krediti.


Kurrikula

Shkolla NEHEMIA zbaton kurrikulën, programet dhe planet mësimore të licencuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

Planet mësimore shtesë verifikohen gjithashtu nga MASR. Ato aktualizohen rregullisht dhe në rast nevoje kërkohet miratimi i tyre nga MASR. Kurrikula është e bazuar në të nxënit me kompetenca në fushat e përcaktuara. Njëkohësisht, nga drejtoria e shkollës organizohen veprimtari plotësuese, të tilla si kurse shtesë, konkurse, projekte sociale e komunitare, aktivitete kulturore-artistike, sportive, letrare, shkencore, mjedisore, kampe tematike etj.


Ambientet

Shkolla NEHEMIA ka ambiente të një standardi të lartë, ndërtesa me termoizolim dhe sistem qëndror ngrohjeje. Për një proces mësimor sa me cilësor, klasat janë të ndriçuara dhe me shumë dritë natyrale. Gjithashtu kemi laborator për shkencat natyrore, laborator kompjuterash me teknologjinë e fundit, një klasë të pajisur me mjetet e duhura për gjuhët e huaja, një sallë të madhe aktivitetesh dhe një bibliotekë. Ambienti i jashtëm është i pajisur me dy fusha sportive, një kënd lojërash si dhe mensa me shumë hapësirë, për të patur një proces ngrënieje sa më të rehatshëm. 

Për të ofruar sigurinë maksimale të ambienteve dhe njerëzve, ne përdorim një sistem monitorimi me anë të kamerave, i cili funksionon 24 orë dhe vëzhgohet nga rojet. Gjithashtu, në ambientet e qendrës ndodhet një infermieri, ku mund të trajtohen plagë të vogla, por gjithashtu në rastet e nevojshme dhe urgjente, ne mund të ofrojmë transport për në spital.

 


Mësuesit

Mësuesit i vëzhgojnë fëmijët dhe shoqërojnë me vëmendje proceset e tyre të të mësuarit, në të gjitha fushat e edukimit. Nëse është e nevojshme, ata ofrojnë ndihmë dhe mbështetje. Mësuesit janë të vetëdijshëm për rolin e tyre model dhe aspirojnë që me entuziazmin e tyre të frymëzojnë fëmijët për të mësuar.