Arsimi Fillor

Metodat e të mësuarit

Fokusi ynë kryesor është aftësimi i fëmijëve përmes zhvillimit akademik, atij praktik dhe social, punës individuale dhe në skuadër. Fëmijët duhet të jenë në gjendje të kuptojnë dhe të interpretojnë materialet e dhëna dhe gjithashtu të jenë të aftë të krijojnë materialet e tyre. Ata inkurajohen të bëjnë punë në grup, por edhe si individë përmes krijimeve, duke shprehur idetë ose zgjidhjet e tyre dhe gjithashtu përmes projekteve sociale. Në këtë mënyrë ata zhvillojnë të menduarin kritik dhe analitik, por në të njëjtën kohë krijojnë edhe përgjegjshmëri sociale. 

Sportet dhe artet mundësohen edhe jashtë orës mësimore të edukimit fizik apo të vizatimit, pasi në shkollën tonë synojmë që fëmijët të jenë të shëndetshëm nga ana fizike, mendore por edhe të kenë mundësi të zbulojnë talentet e tyre.

Shkolla jonë fillore është një vend, ku fëmijët inkurajohen që të japin më të mirën e tyre dhe të marrin vetëpërgjegjësi.


Kurrikula

Shkolla NEHEMIA zbaton kurrikulën, programet dhe planet mësimore të licencuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

Planet mësimore shtesë verifikohen gjithashtu nga MASR. Ato aktualizohen rregullisht dhe në rast nevoje kërkohet miratimi i tyre nga MASR. Kurrikula është e bazuar në të nxënit me kompetenca në fushat e përcaktuara. Njëkohësisht, nga drejtoria e shkollës organizohen veprimtari plotësuese, të tilla si kurse shtesë, konkurse, projekte sociale e komunitare, aktivitete kulturore-artistike, sportive, letrare, shkencore, mjedisore, kampe tematike etj.

 


Ambientet

Shkolla NEHEMIA ka ambiente të një standardi të lartë, ndërtesa me termoizolim dhe sistem qëndror ngrohjeje. Për një proces mësimor sa më cilësor, klasat janë të ndriçuara dhe me shumë dritë natyrale. Gjithashtu kemi laborator për shkencat natyrore, laborator kompjuterash të teknologjisë më të fundit, një klasë të pajisur me mjetet e duhura për gjuhët e huaja, një sallë të madhe aktivitetesh dhe një bibliotekë.  Ambienti i jashtëm është i pajisur me dy fusha sportive, një kënd lojërash si dhe mensa me shumë hapësirë, për të patur një proces ngrënieje sa më të rehatshëm. 

Për të ofruar sigurinë maksimale të ambienteve dhe njerëzve, ne përdorim një sistem monitorimi me anë të kamerave, i cili funksionon 24 orë dhe vëzhgohet nga rojet. Gjithashtu, në ambientet e qendrës ndodhet një infermieri, ku mund të trajtohen plagë të vogla, por gjithashtu në rastet e nevojshme dhe urgjente, ne mund të ofrojmë transport për në spital.


Mësuesit

Mësuesit i vëzhgojnë fëmijët dhe shoqërojnë me vëmendje proceset e tyre të të mësuarit, në të gjitha fushat e edukimit. Nëse është e nevojshme, ata ofrojnë ndihmë dhe mbështetje. Mësuesit janë të vetëdijshëm për rolin e tyre model dhe aspirojnë që me entuziazmin e tyre të frymëzojnë fëmijët për të mësuar.