Mirë se erdhët në faqen e Shkollës NEHEMIA

Fjala përshëndetëse

Kam nderin dhe kënaqësinë të jem drejtuesja e një shkolle me cilësi të lartë të edukimit e arsimimit siç është Shkolla NEHEMIA.  

Në shkollën tonë, të gjithë jemi të përkushtuar me mendje, duar e zemër për një edukim e arsimim cilësor të fëmijëve që nga kopshti deri në klasën e XII-të.  

Ne ju mundësojmë atyre të fitojnë kompetenca jetësore dhe formojnë personalitetin, duke zbuluar botën që i rrethon, duke përjetuar situata të ndryshme të të nxënit, duke inkurajuar lirinë dhe barazinë mes njerëzve, me qëllim që në të ardhmen të bëhen individë të përgjegjshëm për jetën, familjen dhe shoqërinë, në të cilën jetojnë. 

Misionin tonë, ne e përmbushim duke aplikuar e modeluar vlera si: falja, respekti, integriteti, ndershmëria, përkushtimi e frymëzimi, duke planifikuar me rigorozitet e punuar fort për të ofruar një përvojë të nxëni mbështetëse dhe unike, pasi ne besojmë se të gjithë nxënësit munden dhe është detyrë e shkollës që të zbulojë aftësitë unike të tyre e t’i japë mundësinë gjithsecilit për t’u zhvilluar në fushat e veta preferenciale. Gjërat që mësohen me kënaqësi nuk harrohen kurrë. 

Po ashtu, ne inkurajojmë nxënësit të marrin pjesë në aktivitete jashtëshkollore dhe projekte sociale-komunitare me qëllim që secili të angazhohet në të paktën një aktivitet ku mund të japë më të mirën nga vetja, të rritë vetëvlerësimin e njëkohësisht edhe të argëtohet.


Ne duam që Shkolla NEHEMIA të jetë një komunitet i dashur për fëmijët, i veçantë për të mësuarit, ku çdokush gjen veten, përballet me sfida që e bëjnë më të suksesshëm, miqësohet me nxënës të tjerë dhe përgatitet të jetë shembull i personit qytetar si brenda ashtu dhe jashtë Shqipërisë.

Për ne, bashkëpunimi mes prindërve, mësuesve dhe nxënësve, si dhe përfshirja aktive e këtyre aktorëve në edukim është një faktor tjetër tejet i rëndësishëm për formimin tërësor të fëmijëve, andaj edhe angazhimit të komunitetit prindëror i kushtojmë vëmendje e kohë të veçantë. 

Personeli ynë pedagogjik është i përgatitur dhe i kualifikuar që të sigurojë për fëmijët arritje të larta akademike dhe t’i përgatisë ata që të jenë të suksesshëm duke i’u mësuar se si të mendojnë dhe jo çfarë të mendojnë. 

Ajo çfarë na motivon të punojmë  me seriozitet  e përkushtim maksimal është fakti se ne e dimë: “Ne nuk mësojmë për shkollën, por për jetën!”

Elona Rira

Drejtore e Shkollës


Kriteret e pranimit dhe procesi i regjistrimit

Ju falenderojmë dhe e vlerësojmë shumë interesimin për Shkollën NEHEMIA. Kriteret e pranimit dhe procesin e regjistrimit për të gjitha ciklet mund t'i gjeni të detajuara në pikat më poshtë. Aplikimi mund të bëhet duke na kontaktuar nëpërmjet adresës sonë të e-mailit, duke na telefonuar ose mund të na vizitoni në kampusin e Nehemiah Gateway Albania, gjatë muajit gusht, nga e hëna në të premte, prej orës 08:00 deri më 16:00.

 


Kurrikula

Shkolla NEHEMIA zbaton kurrikulën, programet dhe planet mësimore të licencuara nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR).

Planet mësimore shtesë verifikohen gjithashtu nga MASR. Ato aktualizohen rregullisht dhe në rast nevoje kërkohet miratimi i tyre nga MASR. Kurrikula është e bazuar në të nxënit me kompetenca në fushat e përcaktuara. Njëkohësisht nga drejtoria e shkollës organizohen veprimtari plotësuese, të tilla si kurse shtesë, konkurse, projekte sociale e komunitare, aktivitete kulturore-artistike, sportive, letrare, shkencore, mjedisore, kampe tematike etj.


Tarifat

Tarifa për të studiuar te Shkolla NEHEMIA ndahet në tre shërbime; mësimdhënia, transporti dhe ushqimi. Prindërit kanë mundësi të zgjedhin, nëse iu nevojiten shërbimet e transportit dhe të ushqimit. Për më shumë informacion mund të klikoni më poshtë:


Bursa

Bursa e Ekselencës Akademike Dr. Jorgji Jajçari është themeluar në vitin 2018 nga Lazaron Gusho dhe Lori Çobani, alumni të Shkollës NEHEMIA. Qëllimi i kësaj burse është të mbështesë dhe shpërblejë financiarisht një student për të lehtësuar shpenzimet familjare dhe për t’i lejuar studentit t’i dedikohet kryesisht studimeve akademike. Për më shumë informacion rreth Bursës së Ekselencës Akademike Dr. Jorgji Jajçari vizitoni në: www.lyhnidafund.com


Ambientet

Shkolla NEHEMIA ka ambiente të një standardi të lartë, ndërtesa me termoizolim dhe sistem qëndror ngrohjeje. Për një proces mësimor sa më cilësor, klasat janë të ndriçuara dhe me shumë dritë natyrale. Gjithashtu kemi laborator për shkencat natyrore, laborator kompjuterash me teknologjinë e fundit, një klasë të pajisur me mjetet e duhura për gjuhët e huaja, një sallë të madhe aktivitetesh dhe një bibliotekë. Ambienti i jashtëm është i pajisur me dy fusha sportive, një kënd lojërash si dhe mensa me shumë hapësirë, për të patur një proces ngrënieje sa më të rehatshëm. 

Për të ofruar sigurinë maksimale të ambienteve dhe njerëzve, ne përdorim një sistem monitorimi me anë të kamerave, i cili funksionon 24 orë dhe vëzhgohet nga rojet. Gjithashtu, në ambientet e qendrës ndodhet një infermieri, ku mund të trajtohen plagë të vogla, por gjithashtu në rastet e nevojshme dhe urgjente, ne mund të ofrojmë transport për në spital.